Reformë për zonat e mbrojtura dhe pyjet, Rama: Rrisim financimet dhe kapacitetet për pyllëzim
Kryeministri paralajmëron ristrukturim të modelit të menaxhimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, përmes bashkimit të agjencive dhe rritjes së fondeve për pyllëzim.
Bashkim i agjencive dhe model i ri menaxhimi
Qeveria ka nisur reformimin e modelit të administrimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura. Kryeministri Edi Rama tha gjatë aktivitetit “Për ty natyrë” se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ajo e Pyjeve do të bashkohen në një institucion të vetëm, i cili do të merret në mënyrë të integruar me menaxhimin e naturës. Ai theksoi se moratoriumet e viteve të shkuara kanë sjellë rezultate pozitive në rigjallërimin e pyjeve dhe faunës, por ndërhyrje të mëtejshme janë të domosdoshme.
Sipas tij, ulja e krimeve mjedisore dhe reduktimi i ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura tregojnë progres, por sfidat mbeten të konsiderueshme, veçanërisht në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Teknologji, AI dhe forcim i kapaciteteve kundër zjarreve
Kryeministri nënvizoi se sfida e zjarreve kërkon parandalim dhe se në sistem do të integrohen teknologji të avancuara dhe Inteligjenca Artificiale për monitorim më efektiv. Ai bëri të ditur se do të krijohet një “fond i gjelbër” për fidanishtet publike, ku ndërtuesit do të kontribuojnë sipas sipërfaqeve që ndërtojnë, për të përmirësuar kapacitetet e pyllëzimit dhe rikuperimit të zonave të dëmtuara.
Fidanishtet publike dhe mbështetja e pushtetit vendor
Rama theksoi nevojën për zgjerimin e rrjetit të fidanishteve, në bashkëpunim me bashkitë, si një element kyç për rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe menaxhimin afatgjatë të resurseve natyrore. Reformimi i agjencive synon të krijojë sinergji dhe të forcojë strukturën e mbrojtjes së mjedisit në gjithë territorin.
Liqeni i Shkodrës drejt UNESCO-s
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, njoftoi se është dorëzuar zyrtarisht dosja për përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në listën e UNESCO-s, një hap që synon mbrojtje të qëndrueshme dhe zhvillim të kontrolluar të zonës.